Ligjore · Roots Business

Kushtet për bizneset në Roots Albania

Versioni 2 · Në fuqi nga: 2 tetor 2026 · Zëvendëson versionin e 19 korrikut 2026

Lexo versionin e mëparshëm (19 korrik 2026)

Këto kushte vlejnë për çdo biznes që merr në menaxhim profilin e vet në Roots Albania dhe përdor portalin Roots Business. I kemi shkruar shkurt dhe qartë. Nëse diçka nuk kuptohet, na shkruaj (kontaktet janë në fund).

1. Kush jemi

Roots Albania është një aplikacion udhëtimi për turistët që vizitojnë Shqipërinë. Në të shfaqen vende për t'u vizituar, si dhe evente dhe aktivitete bashkë me bizneset që i organizojnë.

Shërbimin e ofron ROOTS SH.P.K., shoqëri e regjistruar në Shqipëri, NUIS M61803028A, me seli në Rrugën Zef Jubani, Nd. 4, H. 1, Ap. 3, Njësia Administrative Nr. 5, 1000 Tiranë. Në këto kushte e quajmë "Roots" ose "ne".

2. Kur i pranon këto kushte

  • I pranon kur shënon kutinë e pranimit gjatë marrjes së profilit në menaxhim, ose kur shtyp "Pranoj dhe vazhdo" në portal.
  • I pranon në emër të biznesit. Duke i pranuar, konfirmon se je të paktën 18 vjeç dhe se ke të drejtë ta përfaqësosh këtë biznes.
  • Lexo edhe Rregullat e komunitetit dhe Politikën e privatësisë për bizneset. Nëse diçka në to nuk përputhet me këto kushte, vlejnë këto kushte.

3. Si funksionon shërbimi

Profili i biznesit. Shumicën e profileve i kemi përgatitur ne paraprakisht, me informacion publik për biznesin: nga faqja e internetit, rrjetet sociale dhe hartat. Profili mund të ketë tashmë foto dhe video nga faqet e tua publike. Mund t'i heqësh ose t'i zëvendësosh kur të duash; nëse nuk do që t'i përdorim, na shkruaj dhe i heqim. Kur e merr profilin në menaxhim, kontrolloje dhe na thuaj nëse diçka është e gabuar ose nuk duhet të përdoret. Që nga ai moment, ti kujdesesh që informacioni të jetë i saktë.

Çfarë mund të bësh në portal:

  • të përditësosh të dhënat e biznesit: përshkrimin, adresën, vendndodhjen në hartë, kontaktet, logon, foton e kopertinës dhe galerinë;
  • të krijosh evente dhe aktivitete. Ato ruhen si draft dhe mbeten private derisa t'i publikosh. Kur i publikon, dalin menjëherë në aplikacion, pa pritur miratimin tonë;
  • të shtosh foto dhe video, ose lidhje videosh nga YouTube, Vimeo, TikTok ose lidhje të drejtpërdrejta .mp4;
  • të pranosh ose të refuzosh fotot e sugjeruara (shih pikën 6);
  • të krijosh llogari për stafin dhe kode ftese për bashkëmenaxherë. Stafi mund vetëm të shohë; vetëm menaxherët mund të ndryshojnë dhe të publikojnë.

Çfarë shohin turistët. Profilin e biznesit, eventet dhe aktivitetet e publikuara, vendndodhjen në hartë, butonat e kontaktit (telefon, WhatsApp, email, faqe interneti, rrjete sociale) dhe vlerësimet. Vlerësimet janë dy llojesh: vlerësimi publik në Google dhe yjet që turistët u japin aktiviteteve brenda aplikacionit. Eventet dhe aktivitetet e tua mund të shfaqen edhe në rootsalbania.com, kur dikush ndan një lidhje nga aplikacioni.

Përkthimet. Aplikacioni Roots Albania është në 28 gjuhë. Ne mund t'i përkthejmë tekstet e tua në këto gjuhë, edhe me mjete përkthimi automatik. Përkthimi mund të ketë gabime; nëse gjen një gabim, na e thuaj. Kur ndryshon një tekst, përkthimet e vjetra të tij hiqen dhe turistët shohin tekstin tënd origjinal derisa të ketë një përkthim të ri. Përkthimet e reja nuk krijohen automatikisht menjëherë; i përgatisim ne kur mundemi.

Rezervimet dhe pagesat. Roots nuk merr rezervime dhe nuk merr pagesa nga turistët. Turisti të kontakton ty drejtpërdrejt dhe marrëveshja është mes teje dhe tij.

Dukshmëria. Ne vendosim se si renditen dhe si shfaqen profilet, eventet dhe aktivitetet në aplikacion. Një turist mund të zgjedhë të mos i shohë më profilin, eventet dhe aktivitetet e një biznesi në telefonin e tij. Nuk garantojmë një numër të caktuar shikimesh, kontaktesh apo klientësh.

4. Çmimi

Roots Business është falas deri më 31 dhjetor 2026. Nëse pas kësaj date ndryshon diçka, do të të njoftojmë paraprakisht. Nuk do të të kërkojmë asnjë pagesë pa pëlqimin tënd të qartë.

5. Llogaria jote

  • Hyn me emrin e përdoruesit ose me email-in e konfirmuar, bashkë me fjalëkalimin, ose me një lidhje hyrjeje që të dërgojmë në email. Pa email të konfirmuar nuk mund të marrësh as kodin për rivendosjen e fjalëkalimit, as lidhjen e hyrjes.
  • Çdo llogari i përket vetëm një biznesi. Një adresë email-i mund të lidhet vetëm me një llogari, dhe një numër WhatsApp vetëm me një biznes aktiv.
  • Fjalëkalimi është personal. Mos ia jep askujt dhe mos e përdor të njëjtin fjalëkalim gjetkë. Nëse dyshon se dikush tjetër e di, ndryshoje menjëherë dhe na njofto.
  • Ti je përgjegjës për gjithçka që bëhet me llogarinë tënde dhe me llogaritë e stafit që krijon. Kur dikush largohet nga biznesi, çaktivizo llogarinë e tij.
  • Mbaji të sakta të dhënat e kontaktit të biznesit dhe email-in e llogarisë.

6. Përmbajtja jote

Të drejtat. Publiko vetëm tekste, foto dhe video që janë të tuat ose për të cilat ke leje. Kjo vlen edhe për muzikën që dëgjohet në video.

Saktësia. Datat, oraret, çmimet, vendi i takimit dhe çdo ofertë duhet të jenë të sakta. Nëse një event anulohet ose ndryshon, përditësoje ose hiqe sa më shpejt. Çdo ofertë që publikon duhet ta respektosh.

Rregullat për fotot:

  • në plan të parë të fotos nuk duhet të ketë persona që mund të njihen;
  • e njëjta foto nuk duhet të përdoret në më shumë se një event ose aktivitet;
  • fotot duhet të tregojnë vërtet biznesin, vendin ose aktivitetin tënd.

Fotot e sugjeruara. Mund të të sugjerojmë foto nga faqet e tua publike, te "Foto të sugjeruara" në portal. Këto janë private dhe nuk i sheh askush tjetër derisa t'i pranosh. Kur pranon një foto, konfirmon se ke të drejtë ta publikosh. Ato që refuzon hiqen nga sugjerimet.

Leja që na jep. Përmbajtja mbetet e jotja. Ti na jep një leje falas dhe jo ekskluzive për ta ruajtur, përpunuar (për shembull: zvogëlim, prerje, heqje e të dhënave të vendndodhjes nga fotot), përkthyer dhe shfaqur në aplikacionet dhe faqet e Roots, si dhe për ta përdorur për të promovuar Roots Albania. Mund të kërkosh në çdo kohë që të heqim fotot, videot dhe tekstet që ke ngarkuar ti; atëherë leja mbaron. Mund të mbeten kopjet rezervë, si dhe materialet promovuese të publikuara më parë.

Të dhënat e personave të tjerë. Nëse publikon emra, foto ose të dhëna të personave të tjerë (për shembull të stafit), duhet të kesh lejen e tyre.

7. Çfarë nuk lejohet

Nuk lejohet përmbajtje:

  • e paligjshme, pornografike ose me skena seksuale të qarta;
  • që nxit urrejtje ose diskriminim, ose që është e dhunshme, kërcënuese ose ngacmuese;
  • mashtruese, si evente të rreme, çmime të rreme ose oferta që nuk ekzistojnë;
  • e kopjuar pa leje, ose që shkel të drejtat e autorit dhe markat tregtare të të tjerëve;
  • e dëmshme për të miturit.

Gjithashtu nuk lejohet:

  • të paraqitesh si një biznes ose person tjetër, ose të publikosh për një biznes që nuk ke të drejtë ta përfaqësosh;
  • të dërgosh spam, viruse, ose të përpiqesh të anashkalosh sigurinë e portalit dhe të serverëve tanë;
  • të përpiqesh të marrësh të dhëna që nuk të përkasin, përfshirë të dhënat e turistëve.

8. Raportimet dhe heqja e përmbajtjes

  • Turistët mund të raportojnë një event ose aktivitet. Kur një event ose aktivitet merr disa raportime, aplikacioni mund ta heqë përkohësisht nga shfaqja, edhe para se ta shohim ne. Raportimet i shohim dhe vendosim nëse përmbajtja kthehet apo jo.
  • Mund të korrigjojmë informacion qartësisht të gabuar. Mund të fshehim ose të heqim një event, një aktivitet, një foto ose gjithë profilin, si dhe të pezullojmë një llogari, kur shkelen këto kushte ose kur ka rrezik për turistët.
  • Kur është e mundur, të njoftojmë dhe të shpjegojmë arsyen. Nëse mendon se kemi gabuar, na shkruaj dhe do ta shqyrtojmë sërish.

9. Privatësia e turistëve

Turistët e përdorin aplikacionin Roots Albania në mënyrë anonime: pa llogari, pa emër dhe pa numër telefoni. Ti sheh vetëm numra të përgjithshëm (sa herë është prekur butoni i kontaktit, sa persona kanë thënë se do të vijnë në një event, mesataren e yjeve) dhe një listë anonime të veprimeve për eventet, për shembull "dikush konfirmoi në orën 14:05", pa emër, pa telefon dhe pa pajisje. Ne nuk të japim identitetin e asnjë turisti, as kur na e kërkon. Ti e njeh një turist vetëm kur ai të kontakton vetë.

10. Të dhënat e tua personale

Kush i përpunon. ROOTS SH.P.K. është kontrolluesi i të dhënave.

Çfarë ruajmë:

  • emrin e përdoruesit dhe emrin që shfaqet në portal;
  • email-in e llogarisë: atë që na jep ti, ose email-in publik të biznesit që e kemi vendosur ne kur përgatitëm profilin;
  • fjalëkalimin, vetëm në formë të koduar që nuk mund të lexohet, as nga ne;
  • të dhëna sigurie: kur ke hyrë, përpjekjet e dështuara për të hyrë dhe seancat aktive me informacion bazë për pajisjen;
  • adresën IP dhe të dhëna teknike në regjistrat e serverit, që ruhen për një kohë të kufizuar për sigurinë dhe pastaj fshihen;
  • mesazhet që na dërgon me email ose në WhatsApp.

Telefoni, WhatsApp-i, email-i dhe adresa e biznesit janë të dhëna të biznesit dhe shfaqen publikisht, sepse ky është qëllimi i shërbimit.

Pse i ruajmë. Për të mbajtur llogarinë tënde, për të publikuar biznesin tënd, për sigurinë e portalit dhe për të të kontaktuar për llogarinë dhe shërbimin. Nuk i shesim dhe nuk i përdorim për reklama.

Ku ruhen. Kryesisht në serverë në Gjermani (Hetzner). Kopjet rezervë ruhen edhe në pajisje të Roots në Shqipëri. Faqja rootsalbania.com dhe adresa jonë e email-it kalojnë përmes Cloudflare (SHBA); email-et që na dërgon ruhen te Google (Gmail, SHBA); email-et e shërbimit dërgohen përmes Resend (SHBA). Për këto shërbime mbështetemi në mbrojtjet kontraktuale për të dhënat. Kur na shkruan në WhatsApp, mesazhi kalon edhe përmes WhatsApp-it (Meta).

Sa kohë. Për aq kohë sa ekziston llogaria. Kur e fshin llogarinë, emri yt, email-i dhe fjalëkalimi fshihen menjëherë dhe del automatikisht nga llogaria në çdo pajisje. Të dhënat e sigurisë i ruajmë vetëm për sigurinë e llogarisë dhe synojmë t'i fshijmë rregullisht kur nuk duhen më. Kopjet rezervë ruhen të mbrojtura dhe përdoren vetëm për rikthim në rast defekti.

Të drejtat e tua. Sipas ligjit nr. 124/2024 "Për mbrojtjen e të dhënave personale", ke të drejtë të kërkosh të shohësh, të korrigjosh ose të fshish të dhënat e tua, të kufizosh përpunimin, t'i marrësh në një format të përdorshëm dhe të kundërshtosh përpunimin. Për këtë na shkruaj në hello@rootsalbania.com. Mund të ankohesh edhe te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (idp.al).

Më shumë hollësi gjen te Politika e privatësisë për bizneset.

11. Përgjegjësia

  • Ti je përgjegjës për shërbimet që ofron: sigurinë, lejet, sigurimet, çmimet dhe cilësinë e tyre. Roots nuk është palë në marrëveshjen mes teje dhe turistit.
  • Ne bëjmë çmos që shërbimi të funksionojë mirë, por e ofrojmë ashtu siç është. Mund të ketë ndërprerje ose gabime, dhe mund të ndryshojmë, të shtojmë ose të heqim funksione.
  • Roots nuk përgjigjet për dëme të tërthorta, si humbje fitimi, klientësh ose të dhënash. Ky kufizim nuk vlen aty ku ligji nuk e lejon, për shembull për dëme të shkaktuara me dashje ose nga pakujdesi e rëndë.
  • Nëse dikush ngre një pretendim kundër Roots për shkak të përmbajtjes që ke ngarkuar ose pranuar ti, ti mban përgjegjësi për të dhe na ndihmon ta zgjidhim.

12. Emri dhe aplikacioni Roots

Aplikacioni, portali, emri dhe logoja ROOTS, si dhe dizajni dhe softueri, i përkasin ROOTS SH.P.K. Këto kushte nuk të japin asnjë të drejtë mbi to.

13. Fshirja e llogarisë dhe heqja e profilit

  • Mund ta ndalosh përdorimin e shërbimit kur të duash.
  • Llogarinë mund ta fshish vetë te Cilësimet. Pas fshirjes nuk mund të hysh më, dhe kjo nuk mund të zhbëhet.
  • Profili i biznesit dhe eventet dhe aktivitetet e publikuara mbeten në aplikacion, sepse i përkasin biznesit dhe jo llogarisë. Nëse nuk mbetet asnjë menaxher tjetër, profili kthehet nën kujdesin tonë, si para se ta merrje në menaxhim, dhe mund ta përditësojmë me informacion publik.
  • Nëse do që profili i biznesit, ose vetëm fotot, videot dhe tekstet e tua, të hiqen nga aplikacioni, na shkruaj në hello@rootsalbania.com ose në WhatsApp. I heqim pa vonesë.
  • Mund të pezullojmë ose të mbyllim një llogari për shkelje të rënda ose të përsëritura të këtyre kushteve. Nëse vendosim ta mbyllim shërbimin për të gjithë, do të të njoftojmë paraprakisht.

14. Ndryshimet e këtyre kushteve

  • Kur i ndryshojmë kushtet, publikojmë versionin e ri me numër versioni dhe datë. Versionet e mëparshme mbeten të lexueshme.
  • Për ndryshime të rëndësishme të njoftojmë paraprakisht, sa herë që është e mundur, të paktën 15 ditë përpara, me WhatsApp, email ose në portal, dhe mund të të kërkojmë t'i pranosh sërish në hyrjen e radhës.
  • Nëse nuk je dakord me ndryshimet, mund ta ndalosh përdorimin, ta fshish llogarinë dhe të na kërkosh të heqim profilin ose përmbajtjen tënde.

15. Ligji dhe mosmarrëveshjet

Këto kushte rregullohen nga ligjet e Republikës së Shqipërisë. Për çdo problem, le të përpiqemi fillimisht ta zgjidhim duke biseduar. Nëse nuk arrijmë, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykatat kompetente në Tiranë.

16. Gjuha

Këto kushte janë shkruar në shqip. Versioni në anglisht shërben vetëm për informim; nëse ka mospërputhje mes tyre, vlen versioni në shqip.

17. Kontakti

ROOTS SH.P.K. · NUIS M61803028A
Rruga Zef Jubani, Nd. 4, H. 1, Ap. 3, Njësia Administrative Nr. 5, 1000 Tiranë
Email: hello@rootsalbania.com
Telefon dhe WhatsApp: +355 69 443 8348